“Nëse dikush ka informacione apo ndonjë indikacion për përshkallëzim, duhet që ta ndajë me institucionet e sigurisë”.
Kështu ka bërë thirrje zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nëpërmjet një përgjigjeje të dhënë për TV Dukagjinin. Kjo vjen pas deklarimeve të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, se “mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht“.
Ndërsa, zëdhënësi i qeverisë ka pyetur se “kush do ta përshkallëzonte situatën?”.
Kryeziu tutje ka thënë se qeveria dhe politika nuk përzihen në vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës, sepse ky institucion është i pavarur dhe askush nga politika nuk mund të përzihet, pasi, sipas tij, kjo do t’i humbte Kosovës karakterin e shtetit demokratik.
“Jemi të interesuar dhe të angazhuar që gjithçka të shkojë mirë, qetë dhe në siguri. Çdo problem i imagjinuar apo real do ta adresojmë me shpejtësi. Do të mbajmë komunikim të rregullt me partnerë tanë. Do të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët nga radhët e komunitetet joshumicë serb”, ka theksuar Kryeziu.
Kryeziu: Qeveria dhe politika nuk përzihen në vendimet e BQK-së, është institucion i pavarur
Zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian (KE), Eric Mame, u është bashkuar zërave kritikë ndaj Kosovës, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ai ka thënë se “Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë”.
Tutje, ai ka deklaruar se “Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera”, tha Mamer.
KE-ja shton presionin ndaj Kosovës për shkak të vendimit të BQK-së
Ditë më parë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismailin, ka theksuar se vendim i BQK-së për dinarin serb nuk duhet të ndikojë negativisht te qytetarët.
“Ne besojmë se kjo rregullore, mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht… Pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht”.
Hovenier për ndalimin e dinarit serb: Mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht