Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës të premten ka kërkuar pezullim të menjëhershëm të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilin ndalohet përdorimi i dinarit.
Sipas tyre, ky vendim i marrë në “mënyrë të nxituar dhe të pakonkuruar, do të ketë pasoja në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, e cila në masë të madhe varet nga pagesat e bëra në dinarë serbë nga Serbia”.
“Franca shprehet e shqetësuar nga hyrja në fuqi e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që autorizon vetëm euron për transaksione me para të gatshme në territorin e Kosovës. Ky vendim i marrë në mënyrë të nxituar dhe të pakonkuruar, do të ketë pasoja në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, e cila në masë të madhe varet nga pagesat e bëra në dinarë serbë nga Serbia. Në mungesë të zgjidhjeve alternative deri më sot, Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase për të siguruar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni. U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të gjejnë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në reagimin francez.
Ndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) ka thënë të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – ia kufizon mundësitë ShBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.