Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet për tri raste të ndara të vdekjeve, të cilat kanë ndodhur në Gjilan dhe në Gjakovë.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në rastin e parë thuhet se viktima teksa ishte duke therur një kafshë, të njëjtit i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Pas dërgimit në qendrën Emergjente, mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e tij.
Rasti raportohet të ketë ndodhur në Gjilan, të shtunën e tre shkurtit.
“Gjilan 03.02.2024, 10:30. Viktima mashkull kosovar deri sa ishte duke prerë një kafshë iu kishte keqësuar gjendja e tij shëndetësore dhe i njëjti ishte dërguar në qendrën Emergjente, ku mjeku kujdestar e kishte konstatuar vdekjen e tij . Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Në po të njëjtin qytet, një qytetar është gjetur i vdekur në dhomën e tij.
Ky rast raportohet të ketë ndodhur të premten e dy shkurtit.
“Gjilan 02.02.2024-23:45. Viktima, mashkull kosovar është gjetur i vdekur në dhomën e tij. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori, ku me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar ne IML për obduksion”, vijon njoftimi.
Një tjetër rast i cili po hetohet nga Policia e Kosovës ka ndodhur edhe në Gjakovë, të shtunën në mesditë.
Një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij thuhet në raport.
“Gjakovë 03.02.2024, 13:00. Është raportuar se një person gjendet pa shenja jete në banesën e tij. Njësitë policore si dhe stafi mjekësor kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur në viktimën mashkull kosovar, i cili ishte shtrirë në dysheme ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e tij. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.