Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj qëndrimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.
Lidhur me këtë, në një reagim në “X”, Kearns ka pyetur ambasadorin Hovenier se ku qëndron bilanci këtu.
Ajo përmend sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, teksa thotë se heshtja për këtë sulm mbetet ende e shurdhër.
“Ku është bilanci? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA-të pas rrëmbimit të paligjshëm të tre policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist të Banjskë mbetet ende e shurdhër”, ka shkruar Kearns.
Where is the balance?
Did we see a statement like this from the US following Serbia’s illegal kidnapping of 3 police officers? No.
The silence on the Banjska terror attack remains deafening. https://t.co/H8sFoThsT0
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) February 4, 2024
Ndryshe, Bashkimi Evropian i është bashkuar kritikave të shprehura edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për operacionet e autoriteteve të Kosovës në institucionet komunale në Kosovë të administruara nga Serbia.
Bashkimi Evropian, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shmangë veprimet “e njëanshme të cilat mund të nxisin tensione”.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mëngjes nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE.-së (EEAS) kërkohet që statusi i këtyre institucioneve të zgjidhet përmes dialogut në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.