Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut ka deklaruar për Radio Dukagjinin se situata në veri mbetet e qetë, dhe posterat e vendour gjatë natës së kaluar në Zubin Potok janë larguar nga objektet e vendosura.
“Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, është delikate dhe vazhdon të mbetet e tillë për shkak të zhvillimeve që janë duke ndodhur dhe ato që kanë ndodhur më herët. Mirëpo, situata është e qetë”, ka thënë Elshani.
Për çështjen e posterave në gjuhën serbe të vendosura në disa objekte në Zubin Potok, ai ka deklaruar se janë punëtorët teknikë që i kanë larguar ato.
Tutje, ai ka bërë thirrje që të përfillen kërkesat nga ana e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar për përdorimin e pikave të tjera kufitare nga ana e qytetarëve të Kosovës.
“Është lajmëruar një ngjarje në rrjetet sociale dhe e kemi atë informacion që në fshatin Rudar do të ketë ndonjë bllokim të rrugës dhe është paralajmëruar prej orës 12:00 deri në 15:00. Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar që ka bërë thirrje për këto rekomandime për shmangie të qarkullimit në atë pjesë është mirë që të përfillen”, ka përfunduar ai.