Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas situatës së krijuar në Kosovë, që ka të bëjë me zbatimin e rregullores së BQK-së, e cila e ndalon dinarin serb.
Rama tha se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet më shumë me partnerët e saj ndërkombëtarë, por, sipas tij, zbatimi i Kushtetutës është një e drejtë e pamohueshme.
Pas sulmit terrorist në Banjskë, sipas Ramës, duhet të ruhet ekuilibri në Kosovë.
“Derisa të gjithë jemi dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos e harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar Kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruani fokusin dhe ndjenjën e ekuilibrit”, ka thënë ai.
Ky reagim i kryeministrit të Shqipërisë vjen pas presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës që të shtyhet zbatimi i rregullores së re të BQK-së, e cila e ndalon qarkullimin e dinarit serb.