Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re të armëpushimit në luftën në mes të Izraelit dhe Hamasit.
Ky është udhëtimi i pestë i diplomatit të lartë amerikan në Lindjen e Mesme që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor që nxiti luftën.
Blinken pritet të vizitojë Arabinë Saudite, Izraelin, Egjiptin dhe Katarin.
Para këtij udhëtimi, kryediplomati amerikan theksoi nevojë “për adresimin urgjent të kërkesave humanitare në Gazë”, pasi grupet e ndihmës vazhdimisht kanë ngritur alarmin për ndikimin shkatërrues të luftës pothuajse katërmujore në territorin e rrethuar.
Sekretari amerikan i shtetit pritet të takohet me princin e kurorës së mbretërisë Mohammed bin Salman, përpara se të takohet me homologun e tij saudit, ministrin e Jashtëm Princin Faisal bin Farhan al-Saud, raporton BBC.
Armëpushimi i propozuar parasheh një pauzë të luftimeve fillimisht për gjashtë javë që Hamasi të lirojë pengje në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
Lufta u nxit nga sulmi i paprecedent i Hamasit në jug të Izraelit, kur u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës izraelite, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 27.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri, që nuk bën dallimin në mes të luftëtarëve dhe civilëve të vrarë, ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.