Në vazhdë të vizitës zyrtare në Estoni, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve, duke u ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes vendeve që ndajnë interesa, vlera dhe qëllime të përbashkët.
“Presidentin estonez e falënderova për pritjen e ngrohtë dhe i tregova mirënjohje për mbështetjen që shteti estonez ka treguar ndaj Republikës së Kosovës, synimeve tona për integrim në strukturat evropiane apo ndërkombëtare. Alan Karis e njoftova me situatën politike në vendin tonë, ku vlen të theksohet se ne mbetemi maksimalisht të përkushtuar ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi përbën për rajonin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Konjufca.
“Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdo herë e më pranë, gjithnjë e më shumë”, shtoi ai.