Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka zgjatur vetëm 20 minuta. Për kaq pak minuta është dashur deputetëve të papërjashtuar të opozitës që t’i bindnin komandantët e Gardës në Kuvend të hapnin derën e godinës për t’u futur në seancë plenare.
Deputetët e Rithemelimit dhe mbështetësit e kreut të grupit, Gazment Bardhi, kërkuan të futen në seancë, pavarësisht se 19 prej tyre ishin të përjashtuar në seancën e sotme.
Në pamundësi për të kontrolluar se cilët ishin të përjashtuar e cilët jo, efektivët e Gardës i bllokuan të gjithë deputetët e opozitës, duke mos i lejuar të futen në Kuvend.
Pas hyrjes së tyre, kryeparlamanetarja Lindita Nikolla ka replikuar me disa prej deputetëve.
Deputetet e opozitës kanë gjuajtur me sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe Lindita Nikollës. Dhe Nikolla u është drejtuar atyre se duhet “t’u vijë turp” pasi e dinë që janë të përjashtuar dhe po ndalojnë seancën. Duke replikuar me deputetin Flamur Noka, ajo tha se nuk po provokon opozitarët, por janë këta të fundit që po provokojnë.
Deputetët e përjashtuar janë: Ervin Salianji, Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmon Spaho, Oerd Bylykbashi, Saimir Korreshi, Kasëm Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhafa, Lodovik Hasani, Luan Baçi.
Ndërkohë që deputetët tentuan të futen në seancë, qindra qytetarë janë mbledhur para Parlamentit, duke protestuar përreth dy orë.
Pas fjalës që mbajtën disa deputetë, protesta po zhvendoset poshtë pallatit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ndodhet në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.
Protesta e radhës do të mbahet më 20 shkurt. Kështu ka bërë me dije Sali Berisha teksa iu drejtua mbështetësve të tij nga dritarja e banesës, raporton Euronews.
“Më 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën antitirani, në ditën antiEdvin, në ditën kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. 20 shkurti është dita e triumfit tonë, është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit, të pushtetit të drogës, të monizmit të Edi Ramës”, tha ai.
Kujtojmë se opozita ka paralajmaruar përshkallëzimin e aksionit opozitar, drejt mosbindjes civile.
Protestat e opozitës po vijojnë me pretendimin se deputetëve demokratë po u shkelen të drejtat parlamentare në Kuvend, ndërkohë që Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” me akuzat për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.