23-vjeçares, e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit në Prishtinë, i është përmirësuar gjendja shëndetësore, duke qenë tani e vetëdijshme, komunikatave dhe e lëvizshme.
Kështu ka bërë të ditur Haxhi Avdyli, deputet i Listës Guxo, i cili edhe ka vizituar qytetaren këtë të martë.
“Pas qëndrimit në mjekim intensiv dhe pas operacionit gati 4 orë për të evakuar e ndalur gjakderdhjen intrakraniale, Elza ia doli. Nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
Avdyli ka thënë se ajo është e vetëdijshme me të gjitha ekstremitetet, përkundër që ka thyerje në parakrah dhe në vertebrën cervikale C7.
“Falë punës dhe profesionalizmit të lartë të kolegëve të mi nga Neurokirurgjia Dr Faik Qosja si operator, e asistentëve të tij, dhe tërë kolegëve tjerë në krye me drejtorin dr Besnik Elshani të cilët po kujdesen që edhe këtë fazë postoperatore ta kaloj sa më lehtë. Mos ta harrojmë punën madhe që kanë bërë anesteziologët në Kujdes intenziv për ta mbajtur në aparate reanimuese pas operimit , pastaj për ta zgjuar dhe rehabilituar pas zgjimit nga koma. Tani Elza ka nevojë për qetësi dhe rehabilitim disa ditor deri në transferim në shtëpi”, ka shkruar tutje ai.
Nga Policia e Kosovës kishin njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00, më 18 janar.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës.
Ndryshe, 23-vjeçarja është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani.