Ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se nuk vlerësohesh për performancën, madje politika vendos në mënyrë arbitrare pavarësisht meritokracisë.
Ai ka shprehur keqardhje lidhur me mesazhin, i cili është dhënë [nga kryetari Përparim Rama].
“Me këtë mesazh që është jepur, është krijuar brenda një ambient toksik, një ambient që ka mosbesim. Një ambient që nuk vlerësohesh për performacë, nuk ka meritokraci, është zero. Ti sot mundesh me qenë më i miri, por politika nesër të shkarkon në mënyrën më të ultë të mundshme.
Sa i përket koalicionit të PDK-së me LDK-në, Musliu ka thënë se me këtë shkarkim që ka bërë Rama, “nuk ka lënë vend as për drejtorët e LDK-së, se lëre më drejtorët e PDK-së”, është shprehur ai në emisionin “Rreth e rrotull” në TV Dukagjini.
Ai tutje ka thënë se pas seancës së jashtëzakonshme të thirrur për të enjten e tetë shkurtit për “Badovcin”, do të marrin hapat e radhës.
“Të enjten do të jetë seanca për shfuqizimin e ‘Badovcit’… dhe pas kësaj seance do të kemi veprime të tjera, besoj se do t’i bëjmë zyrtare, jo përmes Facebook-ut në formën në çfarë i kemi marrë qëndrimet dhe vendimet e tyre, por do t’i bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme, fillimisht njerëzore, e mandej edhe profesionale”, ka thënë Musliu.
Ai më tutje ka thënë se në rast të shkarkimit të një drejtori nga partneri i koalicionit, është dashtë në bazë të marrëveshjes të kontaktohet partneri, përkatësisht kryetari Uran Ismaili, t’i thuhet se “X drejtori duhet të japë dorëheqje ose po e shkarkoj për shkak të performacës së dobët. Të lutem përgatite një tjetër dhe sigurohu që ai të jetë më i mirë dhe më i kompletuar se ky”, por kjo, sipas tij, nuk ka ndodhur, madje është bërë shkarkimi dhe janë bërë emërime nga partia e tij [LDK].