Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se VV-ja gjithmonë ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me lëndën për këmbimin e pronave në Badoc.
“Lëvizja VV përmes asamblistëve të vet e ka ngritur gjithmonë shqetësimin që nuk po respektohen rregulloret dhe ligjet. Ligji për këmbimin e pronave e parasheh ndryshe, fillimisht duhet të bëhet vlerësimi nga Ministria e Financave”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas Sveçlës ka pasur mashtrim në këtë lëndë sepse siç thotë ai në arsyetim të propozim-vendimit ka qenë se ky propozim ka dhënë referimin për parcelën në fjalë por që sipas tij, ai dokument thotë që ministria e obligon komunën që në këtë rast të veprojë sipas ligjit për shpronësim dhe nuk specifikon ndonjë parcelë.
“Arsyetimi në propozim vendim ka qenë mashtrim. Në arsyetim të propozim-vendimit ka qenë se ky propozim po ndodh pasi që ministria e ekonomisë dhe ambientit ka dhënë pëlqimin për këtë parcelë, ai dokument thotë që ministria e obligon komunën që në këtë rast të veprojë sipas ligjit për shpronësim, nuk specifikon parcelë, nuk i thotë të këmbejë këtë parcelë”, ka thënë Svecla në emisionin “Debat Plus”.
Ai thotë se për këtë çështje VV-ja ka ngritur kallëzim penal edhe ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës është obliguar të martën nga Gjykata Themelore të mos marrë asnjë hap për jetësimin e këmbimit të pronave komunale te Prishtina e Re me ato private në Badoc, që u përkasin ish-klientëve të kryetarit, Përparim Rama.