“Hakmarrje për aktivizmin tim”: Rriten rastet kundër ekstremizmit në Rusi

FOTO:TASS

Rasti për ekstremizëm kundër Leonid Rybakovit, një aktivist nga qyteti perëndimor siberian i Tomskit, po zvarritet për më shumë se një vit. Dhe, fundi i sagës ndaj tij nuk duket në horizont.

Trajtimi i këtij rasti është dashur të merrte kohë “një, më së shumti dy ditë”, tha Rybakov për Realitetet e Siberisë të Radios Evropa e Lirë. “Nuk po flasim për vrasje apo për grabitje. E gjithë kjo ka të bëjë me një postim në internet. Por, gjykatësja Maria Tynyanaya e ka zgjatur rastin për mbi një vit, dhe tani e ka shtyrë edhe për një muaj, deri më 26 shkurt”.

Gjatë një interviste të dhënë në janar, kreu i Komitetit Hetues, Aleksandr Bastrykin, e përshkroi luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit si “një prej themeleve të punës së agjencisë sonë”.

“Sa i përket ekstremizmit”, tha ai, “ne kemi dërguar 430 raste në gjykatë [më 2023], që paraqet 62 për qind më shumë raste sesa vitin paraprak”.

Kjo rritje pason një rritje më 2022, vitit të parë të pushtimit rus të Ukrainës, kur 264 persona në Rusi u dënuan në bazë të ligjeve për ekstremizëm dhe terrorizëm. Për më tepër, afër 1.100 individë dhe organizata vitin e kaluar u shtuan në regjistrin e “terroristëve” të Qeverisë. Një prej tyre ishte shkrimtari 67 vjeç, Grigory Chkhartishvili, i njohur edhe si Boris Akunin, i cili u fut në këtë listë mesin e dhjetorit. Edhe pse nuk është e lidhur direkt me rritjen e ekstremizmit, lista qeveritare që cilëson individët si “agjentë të huaj” arriti në 13.700 persona më 2023.

Megjithatë, pak nga këta “ekstremistë” janë ndjekur penalisht për diçka që ata kanë bërë, sipas Yevgeny Smirnov, avokat që punon në organizatën e ndihmës ligjore, Departamenti i Parë. Ai tha se statistikat tregojnë se “ka një tendencë drejt ndjekjes masive të njerëzve për shkak të lirisë së shprehjes”.

“Shumica e rasteve janë për aktivitet në rrjetet sociale apo për deklarata publike, zakonisht për çështje publike”, tha Smirnov. “Ka ligje kundër ekstremizmit në të gjitha shtetet e zhvilluara dhe ato pranohen nën disa konventa ndërkombëtare. Por, ato nuk kanë asgjë të përbashkët me legjislacionin në Rusi”.

Ndjekjet në bazë të këtyre ligjeve në shtetet perëndimore brenda vitit janë të pakta, kryesisht janë raste për ata persona që kryejnë krime të dhunshme të urrejtjes në bazë të racës, fesë apo orientimit seksual, shtoi Smirnov.

“Në Rusi, ligjet kundër ekstremizmit përdoren ndaj atyre që nuk pajtohen me Qeverinë”, theksoi ai.

“Hakmarrja e FSB-së”

Rasti ndaj aktivistit Rybakov nga Tomski duket se është i ngjashëm.

Për të, gjithçka filloi më 15 qershor 2022, në orën gjashtë të mëngjesit.

“Dikush trokiti në derë”, kujtoi ai. “Policia. Më zunë gafil dhe i lashë të hynin. Pesë burra hynë me shpejtësi, disa me uniforma, e të tjerët me rroba civile”.

Më pas, ai i pyeti se pse po kryenin këtë kontroll, dhe një oficer i tregoi atij një postim të tij në rrjetet sociale të 13 marsit, ku ai kishte shprehur mbështetjen për mbrojtësit ukrainas në qytetin e Harkivit, ku ai kishte studiuar për pesë vjet në një akademi ushtarake për të rinjtë.

“Burgosni nëse mundeni”, tha Rybakov, duke cituar postimin e tij që u bënte thirrje ukrainase që të kapin robër trupat sulmuese ruse. “Ishte krejtësisht një postim paqësor. Unë po flisja lidhur me atë që t’i burgosin ata”.

Ajo vizitë u pasua nga disa thirrje për t’u marrë në pyetje nga prokurorët. Deri kur u gjobit me 10.000 rubla (110 dollarë) për postimin, vendim administrativ për “diskreditim” të forcave të armatosura, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) veçse kishte hapur një rast mbi postimin e njëjtë të bërë në rrjetet sociale, por për një akuzë më serioze, atë të “ekstremizmit”.

“I kërkova prokurorit të FSB-së të mbyllte rastin pasi që Kushtetuta thotë se nuk mund të dënohesh dy herë për veprën e njëjtë, dhe unë veçse isha gjobitur”, tha Rybakov. “Ai shkoi diku dhe u konsultua për një kohë dhe kur u kthye më tha se rasti nuk mund të mbyllet. Në të njëjtën kohë, ata hapën edhe dy raste të tjera penale ndaj meje për ‘diskreditim’”.

Seanca e parë dëgjimore për rastin kundër tij për ekstremizëm u mbajt më 6 shkurt 2023. Nëse gjendet fajtor, ai mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

“Kjo është hakmarrje e FSB-së për të kaluarën time, për aktivizmin tim, për denoncimet që kanë pranuar”, tha ai. “Nuk ka të bëjë asgjë me ligjin. Rasti është i stisur”.

“Armiqtë përballen me ligjin”

Avokati Smirnov po ashtu u bëri jehonë deklaratave të aktivistëve dhe të tjerëve të cilët thonë se ligjet për ekstremizmin dhe ligjet e tjera që po përdoren në Rusi për të shtypur disidentët politikë, po zbatohen në mënyrë selektive. “Miqtë mund të bëjnë gjithçka”, tha Smirnov, duke cituar një maksimë ruse. “Armiqtë përballen me ligjin”.

Në përgjigje të ankesave të ngritura kur kryeredaktorja e Russia Today (RT), Margarita Simonyan, në tetorin e vitit 2023 publikisht bëri thirrje që të hidhet një armë bërthamore mbi Siberi, zyrtarët urdhëruan “ekspertizë” të deklaratave të saj dhe nuk gjetën se ajo kishte shkelur ligjin kundër ekstremizmit.

Po të njëjtin muaj, ligjvënësi rus njëherësh gjenerali Andrei Gurulyov, i cili publikisht ka kërkuar kthimin “e shtypjes staliniste”, doli në televizionin shtetëror Channel One, dhe bëri thirrje për “shkatërrimin” e asaj që ai e përshkroi si 20 për qind të popullatës ruse që nuk mbështet presidentin Vladimir Putin. Sërish, zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk gjetën të dhëna për ndonjë krim në deklaratat e Gurulyovit.

“Disa persona përballen me burgim të gjatë për postimin e një fotografie në rrjetet sociale, të tjerët nuk përballen me pasoja për shkak të avokimit për vrasje në masë apo edhe gjenocid”, tha Smirnov. “Kjo nuk ka të bëjë asgjë me ligjin. Ka të bëjë me qëndrimin e tyre karshi politikave shtetërore. Një ekspert që kryen analizimin e deklaratave të bëra nga një ligjvënës apo nga një aktivist, mund të vijnë në përfundime diametralisht të ndryshme”.

Ndërsa politika e përgjithshme e zbatimit të ligjeve për ekstremizëm drejtohet nga Moska, zyrtarët lokalë kanë ndikim në zbatimin lokal të këtyre direktivave për të zgjidhur mosmarrëveshje politike, shtoi ai.

“Ata kanë mundësi që t’iu bëjnë presion organeve të rendit që të hapin raste penale kundër kundërshtarëve politikë në rajonet e tyre”, tha Smirnov.

Rrëfimi i një blogeri

Në pranverën e vitit 2023, prokurorët hapën një rast kundër Yevgeny Brigida, një bloger nga Gljaden në rajonin Krasnojarsk, nën akuza për thirrje për ekstremizëm. Ai përballet me pesë vjet burgim për shkak se postoi një video në rrjetet sociale ku ai citonte në mënyrë miratuese një deklaratë të bërë në televizionin kombëtar nga një personaliteti televiziv pro-Kremlinit, Vladimir Solovyov.

Që nga viti 2017, Brigida ka publikuar në blogun e tij materiale për çështje lokale dhe “zyrtarëve nuk u pëlqejnë ato” materiale.

“Unë kurrë nuk jam fshehur pas faqes në rrjetet sociale të dikujt tjetër apo pas shpinës së dikujt”, tha ai për REL-in. “Gjithmonë kam folur hapur, ndonjëherë duke përdorur gjuhë të ashpër”.

Autoritetet e zbatimit të ligjit nisën ta ndiqnin Brigidan, pasi një ligjvënëse rajonale dhe ish-zyrtarja kryesore e rajonit, Galina Ampilogova, e denoncoi atë në polici dhe prokurori dhe në verën e vitit 2022 ai tha: “Ajo vazhdimisht kishte qenë një yll në videot e mia dhe pasi u shpërngul në Krasnojarks, ajo vendosi që të qëronte hesapet me mua”.

Këto ankesa çuan në muaj të tërë të marrjes në pyetje. Në prill të vitit 2023, prokurorët ngritën akuzë ndaj tij për ekstremizëm. Pas kësaj, tha ai, edhe të afërmit e tij u morën në pyetje vazhdimisht. Ai tha se beson që telefoni i tij monitorohet dhe se ai ndiqet shpesh.

Çështja kundër tij përqendrohet në një video që ai bëri pasi rekrutuesi lokal ushtarak, Oleg Tikhonochuk, u bë kryelajm në Rusi për shkak të një interviste të dhënë ku ai deklaroi se zyra e tij po mobilizonte këdo që mundte, pa pasur nevojë që rekrutët t’iu nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore. Intervista u publikua në mes të kritikave në nivel kombëtar lidhur me mënyrën se si po zbatohej urdhri i shtatorit të vitit 2022 i lëshuar nga Putini dhe në mes të kritikave se shumë burra do të duhej të liroheshin nga mobilizimi për shkak të arsyeve shëndetësore dhe personale e jo të dërgoheshin në Ukrainë.

Intervista e Tiknonchukut u diskutua në televizionin Channel One nga Solovyov dhe Simonyan, dhe Solovyov pyeti nëse rekrutuesit e tillë duhet “të qëllohen”. Simonyan u përgjigj se ajo nuk pajtohet me këtë, ndërkaq Solvoyon u përgjigj: “Unë do t’i qëlloja”.

“Në videon time unë pyeta: ‘A nuk është koha, siç tha edhe Solovyon, të qëllojmë rekrutues të tillë’”, tha Brigida.

“Gjyqi nisi në dhjetor të vitit 2023”, shtoi ai. “Gjykatësja Irina Ivanova vendosi se në aktakuzë nuk kishte një përshkrim të qartë të qëllimit, motiveve dhe qëllimeve të ‘krimit’… dhe ajo iu kthye prokurorit. Tani jemi duke pritur. Unë nuk jam nën asnjë kufizim, përveç se detyrohen të paraqitem sa herë që më thërrasin”.

Përderisa pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë dhe zgjedhjeve presidenciale ruse që mbahen në mars, ku Putin pritet të fitojë mandatin e pestë, ndjekjet penale të motivuara politikisht sipas ligjeve për ekstremizëm do të vazhdojnë të përdoren për të “stabilizuar situatën politike dhe kufizuar kritikat online ndaj autoriteteve ruse”, tha Smirnov.

“Numri i njerëzve që akuzohen në bazë të këtyre ligjeve përcaktohet në mënyrë artificiale”, shtoi ai. “Nëse urdhri jepet nga lart, numri i rasteve të tilla do të rritet, siç po rritet tani. E gjithë kjo shpjegohet nga dëshira e autoriteteve për të krijuar në Rusi një regjim të frikës, në mënyrë që njerëzit të frikësohen që të diskutojnë online apo diku tjetër për veprimet e Qeverisë”, tha ai./REL

Shija e redaktorit

Haradinaj bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit: Ishte ndër...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë në ditëlindjen...

BE dorëzon progres-raportin, Rama: Dokumenti më i mirë ndërkombëtar për...

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka thënë se plani për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit...

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

Të fundit nga rubrika