Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme nga Dhoma e Deputetëve në Itali, Giulio Tremonti.
Ministrja Gërvalla e njoftoi Tremontin dhe deputetët edhe për aktin e agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë dhe ritheksoi nevojën imediate për ndërmarrjen e veprimeve kundër atyre që në vazhdimësi po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Në këtë takim u diskutua për progresin e arritur në sundim të ligjit, demokratizim, avancim të të drejtave të njeriut, në veçanti të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, bashkëpunimin rajonal në siguri, zhvillim ekonomik dhe integrim euroatlantik”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Në këtë takim, deputetët italianë shprehën interesimin e tyre rreth proceseve nepër të cilat po kalon Kosova, sfidat dhe vizionin e qeverisë së Kosovës për të ardhmen e saj integruese.