Faqet e internetit të disa medieve ruse, të cilat u sanksionuan me një vendim të Qeverisë së Kosovës për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, janë ende të qasshme në vend, zbuloi Radio Evropa e Lirë, gjatë disa testimeve të bëra në fillim të këtij muaji.
REL-i gjeti se disa prej tyre ishin të qasshme për qytetarët e Kosovës përmes disa kompanive që ofrojnë shërbime të internetit në Kosovë, përfshirë edhe kompaninë publike, Telekomi i Kosovës.
Kjo e fundit tha se disa probleme teknike dhe sulme kibernetike çuan në zhbllokimin e ueb-faqeve të sanksionuara, që, sipas Telekomit, ishte i përkohshëm.
Radio Evropa e Lirë gjeti, po ashtu, se institucioni përgjegjës i Kosovës, që i udhëzon kompanitë e internetit për bllokimin e faqeve të sanksionuara, nuk e ka përditësuar listën me media të reja që janë sanksionuar ndërkohë.
E kontaktuar nga REL-i, Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me sanksionet ndaj medieve ruse dhe zbatimin e tyre.
Prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kosova i ndërmori të gjitha masat sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndërmorën kundër entiteteve ruse.
Nën sanksione u futën edhe media ruse si RT-ja, e njohur më herët si Russia Today, dhe Sputnik – të dyja të mbështetura nga Kremlini.
BE-ja i arsyetoi këto sanksione me qëllimin e ndalimit të “dezinformimit rus që synon destabilizimin e vendeve fqinje, BE-së dhe shteteve të saj anëtare”.
Nën sanksionet e BE-së e, rrjedhimisht, edhe ato të Kosovës u fut më vonë edhe ueb-faqja Rt.rs, që është versioni në gjuhën serbe i RT-së.
Rt.rs ose RT Ballkan u hap në fund të vitit 2022 në Serbi – vendin që nuk i vendosi sanksione Rusisë.
Kjo ueb-faqe u sanksionua me paketën e 11-të të sanksioneve të BE-së, në qershor të vitit 2023, e cila u adaptua edhe nga Qeveria e Kosovës, në korrik të atij viti.
Me vendimin për sanksione të BE-së, këtyre medieve duhet t’u bllokohet transmetimi në të gjitha format – përfshirë faqet në internet.
Cilat medie të sanksionuara janë të qasshme në Kosovë?
Radio Evropa e Lirë testoi hapjen e faqeve të RT-së dhe RT Ballkanit nëpër pajisje të ndryshme që përdorin internetin që ofrohet nga kompani të ndryshme në Kosovë.
Këto të fundit rregullohen nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Kompjuterike i Kosovës (ARKEP).
Ndër furnizuesit kryesorë të internetit në vend është edhe kompania publike Telekomi i Kosovës.
Në testimet që REL-i bëri më 2 dhe 5 shkurt të këtij viti në telefona të lidhur me internetin e Telekomit të Kosovës, faqja RT.com u hap pa ndonjë telash, vetëm me një kërkim të thjeshtë në Google.