Një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës me Prokurorinë e Shtetit ka rezultuar me arrestimin e një personi që dyshohet për të paktën 18 raste të vjedhjes së rëndë vetëm në Malishevë.
Rastin e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Kastriot Memaj.
“Pas një punë hetimore të gjatë, prokuroria në koordinim me policinë ka zhvilluar një bastisje që ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit për 18 raste të vjedhjes së rëndë vetëm në Malishevë, si dhe shumë raste të tjera në Gjakovë”, tha prokurori Memaj për KALLXO.com.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria pritet të parashtrojë kërkesë për masën e paraburgimit.
Prokurori Memaj ka thënë se do të vazhdohet me punën hetimore, me qëllim të identifikimit edhe të bashkëkryerësve tjerë për disa raste penale.