Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pasi deputetët e Listës Serbe shkuan në Kuvendin e Kosovës për t’i vazhduar mandatet e tyre.
Haradinaj-Stublla ka thënë se kjo gjë vjen rezultat i “mungesës së aktakuzës ndaj Millan Radojçiqit dhe financimit të Listës Serbe me 360 mijë euro”.
Sipas saj, kjo mundësoi që kjo organizatë kriminale të rikthehet në Kuvendin e Kosovës sot “e papenguar ligjërisht dhe e pasfiduar politikisht”.
“Mungesa e aktakuzës për (tani-ish) nënkryetarin e organizatës kriminale ‘Lista serbe’ Millan Radojçiq, dhe vazhdimi i financimit të shtetit të Kosovës me 360 mijë euro për këtë organizatë përmes së cilës Serbia planifikoi e ekzekutoi agresionin terrorist në Banjskë (ku mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku) – mundësoi që kjo organizatë kriminale të rikthehet në Kuvendin e Kosovës sot e papenguar ligjërisht dhe e pasfiduar politikisht”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Ndryshe, sot, deputetët e Listës Serbe janë rikthyer në Kuvend të enjten në seancë pas një mungese prej 5 muajsh vetëm për t’u nënshkruar dhe pastaj kanë lëshuar seancën.
Deputetët e Listës Serbe kthehen në Kuvend për t’u nënshkruar dhe lëshojnë seancën