Donika Dabishevci, drejtoresha e Festivalit Poetik të Prishtinës ka thënë se edicioni i dytë i këtij festivali do fillojë me homazhe për poetin, Adem Gashi i cili vdiq një javë më parë.
Në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, Dabishevci ka dhënë detaje nga ky festival duke thënë se miqtë e poetit Gashi do shpalosin kujtimet e kritikat letrare për të.
Poeti e prozatori nga Drenasi, Adem Gashi vdiq më 16 janar në moshën 70-vjeçare. Mbi të gjitha, Gashi u vlerësua si poet lirik e paradokseve.
“Festivalin do ta fillojmë me homazh poetik për shkrimtarin Adem Gashin, para se ta mbanim festivalin, Ademi na la, iku nga kjo botë. Ai ishte penë maestrale e letërsisë shqipe, festivalin do e fillojmë me homazhe për të. Do shfaqen edhe xhirimet që i kemi pasur me vetë autorin”, ka thënë Dabishevci.
Dabishevci ka thënë se ky festival do jetë i hapur për publikun dhe do ketë një program të përpiluar e përmbajtësor në fushën e kulturës e letërsisë.
Dabishevci ndër të tjera ka thënë se ky edicion do të jetë shumë më i lehtë pasi ka mësime dhe përvoja nga edicioni i parë.
Ky festival do të jetë i pasuruar edhe me shkrimtarë të tjerë.
Nata e dytë e festivalit do të hapet si mbrëmje autoriale me shkrimtarin dhe studiuesin Gëzim Aliu, për të vazhduar me përurimin e librit “Nëna” të Nora Prekazit.
Aty do të lexohen poezi me temën “Letërsia dhe lufta”, ndërkaq nata e tretë dhe e fundit do të jetë “Requim për Bekim Lumin”.