Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka komentuar burgosjen e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale për ta dërguar në paraburgim ishte tejet i pazakontë.
Në emisionin Opininon të Blendi Fevziut, Rama u shpreh se paraburgimi Thaçit ende pa e publikuar aktakuzën ishte diçka që nuk do ta pranonte asnjë shtet tjetër.
“Nuk besoj qe do të kishte ndonjë shtet tjetër që do të pranonin presidenti i tyre të mbyllej pa akuzë pothuajse një vit dhe pastaj doli akuza, sepse ai u mbyll brenda pa akuzë. Rri njëherë dhe do ta shohim. Kjo është diçka që në këndvështrimin tim është jashtë të gjithave…”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, u shpreh i bindur se ish-krerët e UÇK-së në fund do të shpallen të pafajshëm, sepse, sipas tij, akuzat që i rëndojnë ata janë absurde.
“Është një ngjarje e cila ka brenda një absurd shumë të madh dhe jam i bindur që do të jetë me një fund i cili s’ka se si të jetë ndryshe përveç se riafrimim i drejtësisë i UÇK-së, dhe rënia e akuzave absurde, por do të mbetet një plagë në lëkurë për ata që janë të detyruar të kalojnë përmes atij kalvari… me një numër vitesh marramendësm”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama e komenti edhe takimin që e kishte me ish-presidentin Thaçi, duke thënë se ishte tejet emocional. Gjendja e tij sipas Ramës, ishte e mirë si nga ana fizike dhe ajo shpirtërore.
“Emocionalisht ishte prekës momenti i pritjes për të ardhur në takim, sepse, natyrisht, unë isha më parë dhe ai erdhi, sepse ai është njeri që vjen gjithmonë në orar, vonesa do të thoshte se ai u vonua nga procedurat e caktuara”, u shpreh Rama.
Për kryeministrin e Shqipërisë, Hashim Thaçi është një nga politikanët më të mirë të Shqipërisë e Kosovës.
Sipas Ramës, ish-presidenti i Kosovës “kishte dhunti të jashtëzakonshme për politikën, kishte aftësi për të duruar dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm për ta arritur qëllimin”.
Në fund, kryeministri Edi Rama tha se Hashim Thaçi, i cili tash po qëndron në paraburgim në Hagë, do të ishte president i duhur i Shqipërisë.