Shefi i ri i ushtrisë ukrainase thotë se duhet të ndryshohen metodat e luftës

Gjeneralkolonel, Oleksandr Syrskiy, në adresimin e tij të parë si kreu i Forcave të Armatosura të Ukrainës, theksoi nevojën për ndryshime dhe përmirësime në metodat e luftës për të përballuar forcën pushtuese ruse. Syrskiy shtoi se inovacionet teknike, përfshirë dronët dhe mjetet e tjera radioelektronike, janë të nevojshme për arritjen e suksesit në këtë rrugë

Gjeneralkolonel Oleksandr Syrskiy.

Gjeneralkolonel, Oleksandr Syrskiy, në adresimin e tij të parë që kur u emërua kreu i Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha se shteti duhet të ndryshojë dhe të përmirësojë metodat e tij të luftës nëse dëshiron të mposhtë forcat pushtuese ruse.

Syrskiy, i cili më 8 shkurt nga presidenti Volodmyr Zelensky u emërua në postin e kreut të ushtrisë, duke zëvendësuar Valeriy Zaluzhniy, shkroi në Telegram se është i nevojshëm “një plan i qartë dhe i detajuar i të gjitha veprimeve të organeve të administratës ushtarake”, përderisa theksoi se Ukraina ka nevojë për armë moderne nga partnerët e saj perëndimorë.

“Vetëm ndryshimet dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjeteve dhe metodave të luftës do të bëjnë të mundur që të arrijmë suksese në këtë rrugë”, shkroi ai në Telegram më 9 shkurt, duke shtuar se zgjidhjet e reja teknike, përfshirë sistemet e dronëve dhe mjetet e tjera të luftës radioelektronike, janë të nevojshme.

Më herët gjatë ditës, Zelensky nderoi ish-udhëheqësin e ushtrisë Zaluzhniy me titullin “Hero i Ukrainës”. Udhëheqja e suksesshme e Syrskiyt për të mbrojtur kryeqytetin ukrainas, Kiev, bëri që ai të merrte titullin e njëjtë në shtator të vitit 2023.

Ndryshimi në udhëheqjen e ushtrisë ukrainase ndodhi në një kohë kritike për Ukrainën, shtet që ka dështuar të rimarrë territor të konsiderueshëm nga Rusia që nga fundi i vitit 2022 dhe tani po përballet me mundësinë që të mos marrë një ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, pasi ligjvënësit republikanë kanë bllokuar paketën e ndihmës për Kievin në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.

Me forcat ruse që po kryejnë ofensiva në mbarë vijën e frontit dhe po bëjnë përparime në Avdijivka, që për muaj të tërë Moska po tenton ta marrë nën kontroll, në shkurt Zelensky deklaroi se ishte koha për një ndryshim në ushtri, shkruan REL.

Syrskiy, 58 vjeç, ishte një prej komandantëve kryesorë që udhëhoqi ushtrinë ukrainase në luftën kundër ofensivave të separatistëve të mbështetur nga Rusia. Separatistët nisën konfliktin në lindje të Ukrainës më 2014, pak kohë pasi Moska aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Pasi Rusia në shkurt të vitit 2022 nisi pushtimin e Ukrainës, në shtatorin e po atij viti Syrskiy udhëhoqi forcat e armatosura ukrainase në kundërofensivën e suksesshme për rimarrjen e kontrollit në rajonin e Harkivit.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika