Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij ka thënë se nuk është ndjerë i rrezikuar por se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të Partisë Socialiste Evropiane (SPD).
Sipas tij, ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët në Beogradin zyrtar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.
Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit e ka dhënë të shtunën, pas homazheve te ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, që vdiqën gjatë protestës së vitit 2007.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) ka raportuar nga burimet e sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.