Të shtunën e 20 shkurtit, një punëtor ka humbur jetën në fshatin Qirez të Skenderajt.
Policia e Kosovës në raportin 24- orësh ka dhënë detaje mbi ngjarjen tragjike, duke njoftuar se viktima është goditur nga ekskavatori.
“Një mashkull kosovar, ka vdekur si pasojë e plagëve të pësuara pasi është goditur nga ekskavatori që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në raport.
Sipas njoftimit të policisë thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkaq, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.