Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, ka paralajmëruar se sot pritet të ketë erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h, të cilat do të sjellin edhe dëme materiale. E atë që kanë sjellë këto erëra të forta, fillimisht janë mbeturinat e shpërndara nëpër rrugë.
Kjo drejtori ka njoftuar se sot do të izolojë zonën rreth objektit të kryeqytetit në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Kjo do të bëhet për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme.
Komuna ka cituar njoftimin e sinoptikëve ku “Sipas parashikimeve meteorologjike për nesër e diel 11 Shkurt 2024, parashihet të ketë reshje shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike. Era do të fryjë nga juglindja, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20-80 km/h! Parashihet të ketë dëme materiale në zona të caktuara”, derisa ka lutur qytetarët që të kenë kujdes gjatë qarkullimit nëpër parqe dhe parkimit të veturave afër pemëve pasi ekziston rreziku i rënies së degëve.
“Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”, thuhet në njoftimin e komunës./KP