Paralajmërimi se kryeqyteti do të përballet me erëra të forta deri në 80 kilometra në orë, e rriti gatishmërinë institucioneve komunale për intervenim të dielën.
Ndihma e tyre qe e nevojshme që në orët e paradites, pasi erërat e forta nisën ta shkëpusin kulmin e kësaj mbuloje.
Ky objekt gjendet pak metra larg nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës, kulmi i të cilit më 18 janar u rrëzua në tokë për të njëjtat arsye, e ku pësoi lëndime një vajzë.
Por kësaj here, përreth të njëjtit është vendosur një perimetër sigurie për të parandaluar dëmet eventuale nga erërat.
E kjo masë do vazhdojë deri në përfundimin e punimeve në objekt.
Nga Drejtoria e Emergjencave thonë se po bëjnë të pamundurën brenda kompetencave të tyre.
“Të gjitha fatkeqësitë natyrore ndodhin pa paralajmërim. Edhe erërat e forta janë pjesë e fatkeqësive natyrore dhe të gjitha që hyjnë në domenin e drejtorisë ne do ti ndërmarrim, ti njoftojmë qytetarët me kohë për çdo rrezik potencial që mund të vij dhe të bëjmë inspektimin e rregullt të hapsirave publike”, ka deklaruar Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë.
Ndërsa, sipas ekspertit të ndërtimit Kadri Morina, janë një sërë hallakash që e bëjnë një objekt të sigurt.
Ai thotë se institucionet duhet të mos kursehen kur bie fjala për sigurinë e qytetarëve.
“Objektet e reja të jenë shembull në ndërtim, se si duhet të projektohet, si të mbikqyret e si të ndërtohet. Mos të punojnënë atë formën çmimi ma i mirë, me mshel njërin sy e mos të ndërtohet objekti insitucional, të ndërtohen si psh e kemi rrugët që duhet prapë të sanohet. Këtu janë problemet se si te na shkon faza e ndërtimit, sanimit”, ka thënë eksperti i ndërtimit Kadri Morina.
Intervenimet e zjarrfikësve kanë vazhduar gjatë ditës edhe në pika të tjera të qytetit.
Erërat filluan qysh mbrëmë me dëme të evidentuara tek “Xhamia e Llapit”.