Mëngjesin e së dielës, muret e objekteve në veri të vendit janë përfshirë nga një valë e re e grafiteve. Në gjuhën serbe, shkronjat me ngjyrë të kuqe, blu dhe të bardhë shfaqen me një mesazh: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton.”
Për grafite, të cilat i ka cilësuar si “nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, Policia e Kosovës ka nisur hetimet.
“Zubin Potok 11.02.2024 – 11:36. Raportohet se persona të panjohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar.
Mitrovicë Veri 11.02.2024 – 10:30. Raportohet se persona të panjohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar.
Leposaviq 11.02.2024 – 11:30. Raportohet se persona të pa njohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Këto grafite janë shfaqur një ditë para protestës së paralajmëruar nga serbët në Mitrovicë të Veriut dhe të mbështetur nga Lista Serbe.
Të hënën, nga ora 12, ata do të mblidhen për të kundërshtuar vendimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit për pagesa me para të gatshme.