Vetëm gjatë vitit 2023, 129 ushtarë janë larguar vullnetarisht nga FSK-ja.
Shifrat i ka bërë të ditura ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Sipas tij, më shumë se gjysma prej tyre janë larguar për mundësi jashtë FSK-së, duke lëvizur nëpër institucionet e tjera.
“Gjatë vitit 2023 janë larguar 221 pjesëtarë të FSK-së, duke përfshirë aktiv, rezervë dhe nëpunës civilë. Këtu hynë edhe pensionimi i rregullt 59 pjesëtarë, pensionim jo i rregullt 2, pas arritjes së moshës 14 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare kanë pasur 129 pjesëtarë. Shkarkim nga shërbimi ka qenë 1″, ka thënë Maqedonci.
“Arsyet janë të ndryshme duke filluar nga mirëqenia nga aspekti i pagës, te mundësitë që iu ofrohen jashtë institucionit, ky nuk është trend vetëm te ne, është global. Të gjitha ushtritë po ballafaqohen me mbajtjen e personelit. Ne kemi edhe lëvizje në Policinë e Kosovës prej FSK-së. Jo gjithmonë për shkak të mirëqenies, shpesh edhe për shkak të mundësive që iu jep profesioni në struktura të tjera. E shoh shqetësuese, mirëpo theksoj se ka qenë vullnet i të gjithë ushtarëve që janë rekrutuar”, vijoi ai. /EO