Reshat Qalaj, deputet i PDK-së, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini ka thënë se raportimi i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ishte korrekt.
“Mendoj që ka qenë një raportim korrekt për punën që e ka bërë Ministria gjatë vitit 2023”, ka thënë Qalaj. Ai ka thënë se ministri Maqedonci është shprehur se do të angazhohet që problemet që ka tashmë FSK-ja të mos jenë edhe më tutje.
“Pushteti në vazhdimësi është duke u deklaruar se kanë rritur buxhetin, kanë ndarë më shumë para për blerjen e pajisjeve dhe se janë duke investuar më shumë në ushtri. Ndërsa, ne si opozitë jemi duke i kontestuar jo për nga shuma e mjeteve që janë ndarë, por nga qëllimi ku po investohen. Nuk mund të flasim ne për ngritjen e kapaciteteve të një ushtrie kur ushtarët e FSK-së përballen me nevoja elementare”, ka thënë deputeti i PDK-së, duke thesuar se ata përballen me mungesë të uniformave, këpucëve e të tjerë.
“Ushtarit nuk i intereson se ku është procedura, ai i do pajisjet, transportin, çizmet, këpucët. Qëllimi i çdo deputeti, këtë rast edhe të opozitës, është që të ngrisim zërin dhe të përcjellim brengën e ushtarëve të Kosovës për nevojat e tyre”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar se pushteti po harron që Lëvizja Vetëvendosje e ka penguar themelimin e ushtrisë së vendit.
Deputeti është shprehur se investimi në ushtri është investim në sigurinë e vendit dhe se e përkrah qeverinë sa herë që ajo investon në FSK. Ai ka kërkuar që në këtë të investohet sa më shumë në ushtri e polici.
Sipas Qalajt, FSK është “ushtri në krijim” dhe se duhet investuar përtej 2 përqindshit.
“Fillimisht të zhvillojmë kapacitetet njerëzore, t’i kemi ushtarët e trajnuar për përdorimin e sistemeve të armatimeve të ndryshmne dhe pastaj të bëjmë blerjen e tyre”.