Ushtria amerikane tha se lëvizja rebele jemenase Huthi ka lëshuar raketa drejt një anijeje tregtare në jug të brigjeve të Jemenit, që ishte nisur drejt Iranit.
Anija raportohet se ka pësuar dëme të vogla nga sulmi dhe ka vazhduar lundrimin e saj drejt Iranit.
“Më 12 shkurt, nga ora 03:30 deri në 03:35 [sipas kohës lokale në Sana], militantët e Huthit, të mbështetur nga Irani gjuajtën dy raketa nga zonat që i kontrollojnë në Jemen drejt Baba al-Mandeb”, tha Komanda Qendrore amerikane në X, që më herët njihej si Twitter.
Firma e sigurimit, Ambrey, tha se anija ishte e regjistruar në ishujt Marshall, dhe ishte në pronësi të Greqisë. Ajo u “sulmua nga raketat në dy incidente të ndara” që ndodhën brenda 20 minutash.
“Raportohet se u godit dhe pësoi dëme”, tha Ambrey, duke shtuar se një ekip i armatosur i sigurisë private ishte në bordin e anijes.
“Grupi i pronarëve ishte i listuar në indeksin amerikan të bursave, NASDAQ, që dyshohet të jetë arsyeja e sulmit”, tha kjo kompani.
Komanda Qendrore amerikane tha se anija, MV Star Iris, “po kalonte në Detin e Kuq dhe ishte duke transportuar misër nga Brazili”.
Destinacioni i anijes ishte një port në Iran, tha ushtria amerikane, shkruan REL.
Huthët, që janë pjesë e “boshtit të rezistencës” – një aleancë kundër Perëndimit dhe kundër Izraelit që përbëhet nga grupet e mbështetura nga Irani – kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq, që nga nëntori, në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës ku Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po luftojnë.
Sulmeve të Huthëve u janë kundërpërgjigjur me sulme SHBA-ja dhe Britania e Madhe.