Mbrojtja e Shalës, Bahtijarit dhe Januzit kërkon pezullimin e procedurës, pretendon se s’kanë vendim për t’u financuar nga MD-ja

Mbrojtja e Haxhi Shalës, Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit janë ankuar se nuk janë duke u financuar nga Ministria e Drejtësisë (MD), për të përfaqësuar juridikisht të akuzuarit gjatë procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Për këtë arsye, ata gjithashtu kërkuan pezullimin e këtij procesi deri sa të zgjidhet kjo çështje.

Në parashtrimet e tij avokati i Januzit, Jonathan Elystan Reese tha se një kërkesë për financim e kishte bërë më 4 dhjetor 2023, por që deri tani nuk ka ndonjë rezultat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, tha Reese.

Ai tha se Ministria e Drejtësisë iu ka dhënë disa data se kur do të mbahej takimi i këtij Komisioni, e që kjo ka zgjatur që nga dhjetori deri në javën e kaluar.

“Ne na i kanë dhënë disa data kur do të takohej ky Komision dhe herë pas here në çdo rast na kanë thënë që do të vonohen më tutje për të vazhduar gjatë gjithë dhjetorit, janari dhe shkurtit dhe deri në javën e shkuar. Ne jemi përpjekur që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dhe iu kemi besuar kur na kanë thënë se do të zgjidhej kjo çështje, por në fakt kjo është kosto për ne, është dështim për ne pasi edhe sot që ndodhemi këtu, nuk është na është komunikuar ndonjë vendim i ndonjë takimi…Është shtyrë vazhdimisht. Unë nuk jam në gjendje që të tregoj ndonjë afat. Unë po them se na kanë thënë që do të mbahet një takim i ri gjatë kësaj jave se a do të mbahet a jo, nuk e di.”, tha ai.

Mbrojtja e Januzit kërkoi që t’i vendoset një afat urgjent Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje dhe në rast që nuk bëhet atëherë çështja të dërgohet në Kushtetuese.

“Nëse ju do të bëni këtë gjë dhe do t’i vendosni Ministrisë së Drejtësisë një afat urgjent dhe në qoftë se nuk zbatohet ky afat, mua më duket se rezultati do të ishte që këtë çështje ta dërgojmë në Dhomën Kushtetuese. Edhe në këtë rast do t’i kërkonim trupit gjykues që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur duke iu referuar apo duke çuar çështjen në Dhomën Kushtetuese nga vetë trupi gjykues me qëllim që ato të mund ta ndjekin çështjen e moszbatimit të angazhimit që ka MD-ja sipas ligjit”, tha Reese.

Avokatja e Ismet Bahtijarit, Felicity Gerry KC, tha se e mbështetë parashtrimin e mbrojtjes së Januzit.

“Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në”, tha Gerry.

Ajo potencoi se nuk ka marrë asnjë e-mail që nuk do të miratohen fondet, por që është informuar se duhet të formohet një komision.

Avokatja Gerry tha se është duke kërkuar edhe një kontroll mjekësor për të mbrojturin e saj për të parë nëse ai është në gjendje që të ndjek këtë proces gjyqësor në DhSK. Kurse, shtoi se këtë seancë është duke e ndjekur përmes video-lidhjes për shkak të mungesës së financimit.

Mbrojtja e Bahtijarit kërkoi që t pezullohet kjo konferencë me qëllim që Ministria e Drejtësisë të përgjigjet në bazë të kërkesave që iu kanë bërë.

“Kërkoj nga ju që ta pezulloni këtë konferencë të sotme me qëllim që Ministria e Drejtësisë të përgjigjet në bazë të kërkesës që kemi bërë, kërkesës që ka bërë z.Resse dhe ne të vijmë këtu nesër dhe të kemi përditësimin e duhur. Ndërkohë mund të them që nuk është e drejtë, ne kemi nevojë për ndihmën e trupit gjykues që të respektohen të drejtat e z.Bahtjari për një gjykim të drejtë”, tha Gerry KC.

Ndërsa, avokati i Haxhi Shalës, Toby Cadman tha se nuk do t’i përsërisë gjërat që kanë thënë dy parafolësit e tij lidhur me komunikime.

Cadman potencoi se kjo çështja e financimit nuk do të ndikojë në përfaqësimin juridik të Haxhi Shalës.

“Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje. Sa i përket hetimeve afatgjate që do t’i bëjë, pala mbrojtëse sigurisht që do të preket nga kjo çështje e financimit”, tha Cadman.

Ai tha se ia ka bërë të qartë Shalës se kjo çështje e financimit nuk do të prek faktin se do ta përfaqësojnë në këtë proces, pasi kanë detyrime të cilat do t’i përmbushin.

Ndërsa, prokurorja Jasmine Shahabbudin nga ZPS kundërshtoi kërkesat për pezullim të procedurës.

“ZPS-ja kundërshton çdo kërkesë për të pezulluar apo vonuar procedurën bazuar në këtë problemin e financimin që u shtjellua sot në hollësi. Mendoj që pika kryesore këtu është që DhSK-ja ka një kornizë funksionale gjithëpërfshirëse për të trajtuar çështjet e përfaqësimit dhe financimit”, tha Shahabbudin.

Kurse, Gerry KC kërkoi sërish që ky proces të pezullohej për një afat prej një muaj.

Ndërsa, ZPS-ja tha se ka mekanizma pranë DhSK-së që e trajtojnë financimin e mbrojtjes së të akuzuarve.

Në rast se Ministria e Drejtësisë nuk do të paguajë për mbrojtjen e të akuzuarve, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicholas Guillou tha se është sistemi i ndihmës financiare pranë DhSK-së dhe se ata do të paguhen ose nga ky sistem ose nga vetë të akuzuarit.

“Dua ta bëjë të qartë që nuk do ta bëj që kjo çështje të ngelet peng i gatishmërisë së Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për t’i financuar ekipet e mbrojtjes dhe do të marrë urgjentisht vendimin lidhur me çështjen nëse Ministria do t’i paguajë apo jo ekipet e mbrojtjes. Në qoftë se MD-ja merr vendim negativ apo nuk e merr vendimin në ditët në vazhdim, ne kemi një kuadër ligjor. Ne kemi sistemin e ndihmës financiare ligjore e cila aktivizohet në momentin që të akuzuarit nuk janë në gjendje të paguajnë për ekipet e tyre të mbrojtjes. Në qoftë se Ministria e Drejtësisë nuk dëshiron të kontribuojë për pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve pranë DhSK-së, mbrojtësit do  të paguhen ose nga të akuzuarit ose përmes sistemit të ndihmës ligjore”, tha Guillou.

Ai shtoi se është e rëndësishme që MD-ja të dalë me një vendim.

Ndryshe, gjatë kësaj seance përgatitore pritet të diskutohen edhe procedurat e nxjerrjes së materialeve dhe provave, të diskutohet për ecurinë e hetimeve nga ana e ZPS-së dhe mbrojtjes, kur parashikohet të transmetohet dosja gjyqësore, kur pritet që të jetë gati për gjykim, e të tjera.

Në konferencën e tretë me radhë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, kishte nxjerrë një urdhër gojor, ku ZPS-në e urdhëroi që aktakuzën e përbashkët ndaj Bahtjarit, Januzit dhe Haxhi Shalës, ta dorëzojë jo më vonë se 12 janari 2024.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Ndryshe, mbrojtja e Ismet Bahtjarit, përmes avokatit Felicity Gerry KC kishte dorëzuar pranë DhSK-së një mocion me anë të secilit ka kundërshtuar bashkimin e çështjeve “Bahtjari dhe Januzi” me atë të Haxhi Shalës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve,  tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika