Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, ka thënë se kishte dëshirë të merrej me stomatologji dhe kishte filluar të shkonte në shkollën e mjekësisë, e pastaj të përcaktohej në fakultetin e këtij drejtimi. Por, në vitin e dytë, shkollat në Drenicë ishin mbyllur nga okupimi serb dhe së bashku me motrën kishin ardhur në Prishtinë për ta vazhduar shkollimin.
“Situata vazhdoi të tensionohej, lufta filloi, humbëm shumë familjarë. Kjo mbase filloi të më ndërrojë përceptimin për profesionin që dua të kem. Gjithmonë e kam dashur skenën”, ka thënë Deliu-Kodra, duke shtuar se që në fëmijëri ishte aktive në aktivitetet në shkollë.
Deputetja kishte filluar studimet në Akademinë e Arteve dhe tregoi se një ndër shfaqjet që e kishte motivuar të merrte këtë drejtim ishte “Profesor, jam talent se jo mahi”, nën drejtimin e aktorit të mirënjohur Faruk Begolli.
“Shkova si një e re të shoh një shfaqje dhe pashë një mori aktorësh fantastikë që përformonin dhe aty ndërroi situata…Nëna filloi të na thoshte se mjekësia mund të jetë një profesion i vështirë për shkak edhe të luftës. Të gjithë kemi dalë nga lufta me shumë trauma, duke u munduar të gjejmë vetën dhe të kthehemi në jetë. Fillova të mendoj që unë do të drejtohem në Akademinë e Arteve, shpejt e gjeta vetën, jam përgatitur shumë për provimin pranues sepse konkurrenca ishte e madhe”, ka thënë Deliu-Kodra.
“Entuziazmi i Kosovës së pasluftës, sidomos për një drejtim të ri që prodhonte aktorë, të cilët në ato rrethana të vështira kanë sjellë frymëzim, i kanë bërë njerëzit të qeshin e qajnë, kanë përcjellë dhimbjen e dashurinë, i kanë mobilizuar njerëzit që të jetojnë edhe në ato kohëra të vështira. Filloi të më bëjë të mendoj që ky është profesioni që duhet të fokusohem”, ka thënë tutje ajo.
Deliu-Kodra ka rrëfyer se ishte gëzim i madh kur ishte pranuar në Akademinë e Arteve, derisa ka theksuar se në provim asokohe kishin aktorët: Faruk Begolli, Enver Petrovci, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca. Në këtë provim ishin pranuar dy vajza e shtatë djem.
Për më shumë, mund të shikoni videon më poshtë: