Një person ka humbur jetën gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”.
Rasti raportohet të ketë ndodhur pasditen e së martës, thotë për Portalin Dukagjini zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai ka thënë se dyshohet që skitori ka humbur jetën pas një orteku të papritur të borës në një zonë të njohur si “Foleja e Shqiponjës”.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person dyshohet se ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur ‘Foleja e Shqiponjës’. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka thënë Veseli.
Veseli shtoi se forcat e ndërhyrjes së policisë tashmë janë mobilizuar dhe ndodhen në vendngjarje për të menaxhuar situatën.
Në anën tjetër, edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka intervenuar për rastin në fjalë.
“Sapo kemi pranuar një thirrje për ndihmë nga Patrolla e skijimit në Brezovicë, për një aksident orteku. Shpëtuesit tanë së bashku me Patrollën e Skijimit në Brezovicë e kanë lokalizuar vendaksidentin dhe janë duke e zhvilluar operacionin e Kërkim-Shpëtimit”, thuhet në njoftimin e tyre.