Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Osmani e ka falënderuar ambasadorin Abbott për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Osmani e ka vlerësuar lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.
“Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, ka thënë Osmani.
Në këtë takim është shprehur gatishmëria që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë tutje bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve.