Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pasi ndihmëssekretari i SHBA-së, James O’Brien, ka kërkuar nga Kosova të tërheqë “vendimin për të mos lejuar përdorimin e dinarit”.
Ai ka thënë se ekipi i presidentit Joe Biden, “më në fund po e ndjek politikën e Administratës së Trumpit për Albin Kurtin”.
“Ekipi i Bidenit ‘më në fund’ po ndjek politikën e Administratës Trump për Albin Kurtin e Kosovës, 3 vjet më vonë”, ka shkruar Grenell në platformën “X”.
O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien thotë se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”.
Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan.