Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar propozim vendimi për dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar, familjes së 11-vjeçares të dhunuar në vitin 2022 në komunën e Prishtinës.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, tha se me këtë vendim dëshmohet përkushtimi i qeverisë për mbështetjen e viktimave të dhunës.
“Shqyrtimi i propozim vendimit për dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar me qëllim të ofrimit të strehimit është pika e nëntë. Adresimi dhe ofrimi i mbështetjes për familjet dhe personat në nevojë është përgjegjësi institucionale. Për viktimën e trafikimit të dhunimit dhe familjen e saj e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares, përmes veprimeve të këtilla, ne dëshmojmë përkushtimin tonë për mbështetjen e viktimave, veçanërisht për viktimat e dhunës”, tha kryeministri.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Ministria të cilën ajo e drejton në kuadër të kompetencave, mes tjerash po i kushton vëmendje mbështetjes së viktimave të trafikimit po ashtu edhe të dhunimit.
Me këtë rast familjes së 11-vjeçares banesa e konfiskuar i jepet në shfrytëzim për periudhën pesëvjeçare.
“Komisioni rekomandues në mbledhjen e datës 21 .01.2024 ka shqyrtuar kërkesën e Drejtorisë për Mirëqenien Sociale në Komunën e Prishtinës dhe në këtë drejtim rekomandon që banesa e konfiskuar t’i jepet në shfrytëzim familjes për periudhën 5 vjeçare”, tha Haxhiu.
Kujtojmë që, në qershor të vitit 2022, në parkun e lagjes “Arbëria” në kryeqytet, derisa ishte duke ecur, një 11-vjeçare ishte ndaluar nga disa persona ku edhe ishte dhunuar seksualisht.
E, sipas dosjes së Prokurorisë, pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër. Ky i fundit ishte me veturë së bashku me persona të tjerë, të cilët viktimën e kishin dërguar në një vend tjetër. Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.
Ky rast kishte nxitur reagim të shoqërisë, teksa në Kosovë ishin mbajtur disa protesta, ku u kërkua “dënim meritor” për personat e dyshuar