Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ka njoftuar se me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri administrativ, kjo Ministri ka ulur tarifat për mbrojtjen e personave që akuzohen për pengim të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Haxhiu tha se si qeveri, fokusi i tyre duhet të jetë që t’i adresojnë kërkesat e ekipeve mbrojtëse për personat që akuzohen për krime lufte.
“Keni parasysh që tashmë ka hyrë në fuqi ndryshimi i ri i udhëzimit administrativ që parasheh ulje të tarifave për persona që akuzohen për pengim në drejtësi. Mendojmë që si Republikë e Kosovës – si Qeveri e Kosovës, fokusi jonë duhet të jetë që të adresojmë kërkesat e ekipeve mbrojtëse për persona që akuzohen për krime lufte, se në fakt se ky është qëllimi i ligjit për mbrojtje financiare, mirëpo mendoj që për personat që akuzohen për pengim të drejtësisë unë mendoj që kjo nuk i bën mirë as vetë personave të cilët po akuzohen për krime lufte. Prandaj, duke pasur parasysh kompleksitetin, natyrisht më të ulët të këtyre lëndëve kemi bërë ulje të tarifave për këto raste”, tha Haxhiu.
Gjatë konferencës së djeshme mbi ecurinë e çështjes, mbrojtja e Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, janë ankuar se nuk janë duke u financuar nga Ministria e Drejtësisë (MD), për të përfaqësuar juridikisht të akuzuarit gjatë procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë. Për këtë arsye, ata gjithashtu kërkuan pezullimin e këtij procesi deri sa të zgjidhet kjo çështje.
Ndërsa, ministrja Haxhiu tha se në këtë kërkesë janë përgjigjur sot dhe se komisioni ka kërkuar nga avokatet mbrojtës që t’i kompletojnë lëndët e tyre.
“Komisioni për shqyrtim dhe ankesa është mbledhur. Ne e kemi marrë një kërkesë nga gjykata dhe jemi përgjigjur sot. Ministria e Drejtësisë, gjegjësit komisioni për shqyrtim dhe vendosje, ka kërkuar nga avokatët mbrojtës që të kompletojnë lëndët e tyre sepse lënda nuk ka qenë e plotë. Komisioni për shqyrtim dhe vendosje nuk mund të trajtojë asnjë kërkesë në qoftë se dokumentacioni nuk është i plotë. Prandaj, ne i kemi kërkuar përmes komisionit që lëndët të plotësohen me qëllim që pastaj të shqyrtohen kërkesat e tyre”, tha Haxhiu.
Dje, në parashtrimet e tij avokati i Januzit, Jonathan Elystan Reese, tha se një kërkesë për financim e kishte bërë më 4 dhjetor 2023, por që deri tani nuk ka ndonjë rezultat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, tha Reese.
Ai tha se Ministria e Drejtësisë iu ka dhënë disa data se kur do të mbahej takimi i këtij Komisioni, e që kjo ka zgjatur që nga dhjetori deri në javën e kaluar.
Mbrojtja e Januzit kërkoi që t’i vendoset një afat urgjent Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje dhe në rast që nuk bëhet, atëherë çështja të dërgohet në Kushtetuese.
Avokatja e Ismet Bahtjarit, Felicity Gerry KC, tha se e mbështet parashtrimin e mbrojtjes së Januzit.
“Dua ta mbështes parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë, për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në”, tha Gerry.
Ajo potencoi se nuk ka marrë asnjë e-mail që nuk do të miratohen fondet, por që është informuar se duhet të formohet një komision.
Mbrojtja e Bahtjarit kërkoi që të pezullohet kjo konferencë, me qëllim që Ministria e Drejtësisë të përgjigjet në bazë të kërkesave që i janë bërë. Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, hedhi poshtë këtë kërkesë të ekipeve të mbrojtjes.