Serbët e Kosovës nesër i marrin pensionet, Murati: Të njëjtat llogari mund të përdoren për ndihmat nga Serbia

Në datën 15 shkurt, mjetet financiare për pensionistët serbë në Kosovë do të shpërndahen përmes llogarive bankare, kështu ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati. Ministri ka theksuar se llogaritë janë të njëjta për pensionet dhe ndihmat financiare nga Serbia, ndërsa Beogradi synon vazhdimin e transferimeve të parave të pagjurmueshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Të enjten, më 15 shkurt, do të dalin mjetet financiare nga buxheti i shtetit për pensionistët serbë të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një shkrimi në rrjetin socialX.

“Nesër të gjithë pensionistët serbë të Kosovës do ta marrin pensionin nga Thesari i Kosovës në llogarinë e tyre bankare, ashtu siç bëjnë çdo 15 të çdo muaji”, ka shkruar ai.

Po ashtu, ministri Murati ka thënë se llogaritë bankare janë të njëjta edhe për marrjen e pensioneve, si dhe çdo lloj ndihme financiare nga Serbia.

“Të njëjtat llogari mund të përdoren për të marrë ndihmë nga Serbia. Por Beogradi dëshiron të vazhdojë transferimet e parave të pagjurmueshme”, ka shkruar tutje ai.

Nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.

Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.

Në komunikatën e bërë për medie thuhet se “qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”.

Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore.

Numri i degëve dhe i zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

BQK-ja e ka publikuar rregulloren e re më 17 janar dhe ajo ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika