Aktivistët rusë kundër luftës i druhen dëbimit nga Serbia

Por, kur Ministria e Brendshme serbe ia refuzoi më 2 shkurt aplikimin e saj dhe i dha 30 ditë afat që të largohej nga shteti, duke thënë se 54-vjeçarja nga Shën Petersburgu përbënte “rrezik të sigurisë”, Koposova, përkthyese e letërsisë, u trondit

Rusët dhe aktivistët e tjerë duke protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës. Beograd, dhjetor 2022.

Kur Yelena Koposova së fundmi aplikoi për qëndrim të përhershëm në Serbi, që është shtëpi e saj dhe familjes së saj ruse që nga viti 2019, mendoi se kjo procedurë do të ishte vetëm një formalitet burokratik.

Por, kur Ministria e Brendshme serbe ia refuzoi më 2 shkurt aplikimin e saj dhe i dha 30 ditë afat që të largohej nga shteti, duke thënë se 54-vjeçarja nga Shën Petersburgu përbënte “rrezik të sigurisë”, Koposova, përkthyese e letërsisë, u trondit.

Edhe pse zyrtarët kurrë nuk shpjeguan këtë vendim, Koposova dyshoi se ai lidhej me një letër të hapur që ajo kishte nënshkruar në vitin 2022 së bashku me dhjetëra emigrantë të tjerë rusë në Serbi, kur ata shprehën kundërshtimin me pushtimin rus të Ukrainës që nisi më herët gjatë atij viti.

Tani, edhe rusë të tjerë që nuk mbështesin luftën e paprovokuar të shtetit të tyre kundër Ukrainës, kanë shprehur drojë se mund të përballen me vendime të tilla.

“Edhe pse e di që nuk kam bërë asgjë keq, unë kam frikë”, tha një aktivist rus kundër luftës që jeton në Beograd. Ai nuk deshi që emri t’i publikohej kur bisedoi së fundi me Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Dëbimi i Koposovas nënkupton se asnjë rus në Serbi më nuk mund të ndihet i sigurt, tha Pyotr Nikitin, udhëheqës dhe themelues i Shoqërisë Demokratike Ruse (RDO), që e përshkruan veten si organizatë “antiluftës dhe antifashiste” që punon me diasporën rusishtfolëse në Serbi.

“Nëse mund të dëbohesh nga shteti ku jeton për shkak të një nënshkrimi të vendosur në një letër me të cilën t’i pajtohesh, kjo nënkupton se askush nuk është i sigurt dhe të gjithë duhet të heshtin”, tha për REL-in Nikitin, të cilit shkurtimisht i ishte ndaluar hyrja në Serbi verën e vitit të kaluar.

Që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, vlerësohet se të paktën 100.000 deri në 200.000 rusë kanë udhëtuar për në Serbi, që është një prej shteteve të pakta në Evropë ku rusët mund të udhëtojnë pa viza pas sanksioneve të paprecendenta ndërkombëtare ndaj tyre.

Shumë janë zhvendosur në vende të tjera, por Serbia është shndërruar në shtëpi për dhjetëra mijëra rusë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të majit të vitit 2023, afër 30.000 shtetas rusë kanë qëndrim të përkohshëm në Serbi.

Edhe pse Beogradi vazhdimisht ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, deri më tani ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës. Serbia varet nga importet e gazit nga Rusia, një aleate e saj, dhe gëzon mbështetjen diplomatike të Moskës në refuzimin e vazhdueshëm që të pranojnë pavarësinë e ish-provincës së saj, Kosovës.

Beogradi synon që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por presidenti Aleksandar Vuçiq, është akuzuar nga kritikët brenda dhe jashtë vendit jo vetëm për sundim autokratik, por edhe për mbajtjen e raporteve shumë miqësore me Kremlinin.

Rasti i Koposovas

E ngopur me sundimin e presidentit Vladimir Putin, Koposova dhe burri i saj u larguan nga Rusia 15 vjet më parë.

“Që në vitet e para të sundimit të Putinit, ne po kërkonim një vend ku të zhvendoseshim sepse ne nuk pajtoheshim me drejtimin që ai po e çonte Rusinë”, tha Koposova. “Për disa vite ne tentuam të jetonim në Finlandë, por nuk mund ta përballonim jetesën atje. Pasi studiuam ligjet e emigrimit në mbarë botën dhe udhëtuam në Evropë, ne zgjodhën Serbinë”.

Pasi jetoi me burrin dhe dy fëmijët për disa vjet në Serbi në bazë të qëndrimit të përkohshëm, Koposova vendosi që në shtator të aplikonte për lejeqëndrim të përhershëm.

Katër muaj më vonë ajo pranoi letrën refuzuese nga Ministria e Brendshme dhe urdhrin për dëbim, ku ajo cilësohej si “rrezik i papranueshëm i sigurisë”. Në këtë vendim nuk jepej asnjë shpjegim tjetër.

Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si Koposova rrezikonte sigurinë e Serbisë.

Pasi për një kohë të gjatë e ka konsideruar Serbinë shtëpi të saj, Kopsova tha se nuk e di se ku do të shkojë së bashku me familjen e saj.

“Ne jemi krejtësisht të tronditur dhe të pashpresë sepse të gjitha planet tona dhe e ardhmja e fëmijëve tanë më nuk ekzistojnë. Nuk kemi ku të shkojmë. Kishim shitur banesën tonë në Shën Petersburg dhe një shtëpizë në Finlandë për të mbështetur jetesën tonë në Serbi”, tha Koposova.

Koposova tregoi se ka blerë një banesë në Sopot, afër 50 kilometra në jug të Beogradit, që burri i saj, një ndërtues me përvojë, po punonte që të përfundonte ndërtimin e saj. Tani, Koposova tha se kanë frikë se nuk do të jenë në gjendje të “rikthejmë investimin”.

Ajo po ashtu po mendon lidhur me dokumentet për fëmijët e saj minor, të cilët kanë lindur jashtë Rusisë.

Çmim për sanksionet amerikane?

Nikitin tha se ajo çfarë e bënë të veçantë rastin e Koposovas, dhe veçanërisht shqetësues, është mungesa e aktivizmit në politikën opozitare ruse, përveç se ajo kishte vënë nënshkrimin në një letër kundër luftës.

“Letra e hapur ishte nënshkruar nga 25 rusë. Unë isha i pari dhe askush [nga ata që e nënshkruan letrën] nuk ka pasur probleme”, tha Nikitin. “Kjo është një taktikë mjaft e njohur që përdoret në Rusi: sulmi ndaj qytetarëve të rëndomtë, kryesisht e atyre që janë më pak aktivë, në mënyrë që të frikësohen të tjerët”.

Policia dhe Agjencia serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) nuk u janë përgjigjur disa kërkesave të REL-it për koment që kur nisën problemet në verën e vitit 2023 për rusët që kundërshtojnë luftën, të cilët u përballën me vështirësi që të futeshin në Serbi.

Ekspertët kanë theksuar se telashet e udhëtimit nisën pak pasi Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Thesarit amerikan (OFAC) më 11 korrik të vitit 2023 sanksionoi Aleksandar Vulinin, që atëbotë ishte drejtues i BIA-s. Vulin u vendos në listën e zezë nën dyshimet se kishte përdorur postin e tij për të shtyrë përpara agjendat ruse dhe ato kriminale, përfshirë edhe dyshimet për përfshirje në blerje armësh dhe trafikim të drogës.

Sanksionet u vendosën pasi Beogradi për disa muaj u përball me protesta publike, që përfshinin edhe kërkesa për shkarkimin e Vulinit. Protestat nisën në maj të viti 2023, pas dy të shtënave masive që lanë të vrarë 18 persona, përfshirë edhe nëntë nxënës të shkollave fillore. Protestuesit në mënyrë të posaçme kishin fajësuar Vulinin, ish-ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm, se kishte dështuar të nxirrte para drejtësisë grupet kriminale.

Në gusht të vitit 2022 ai dënoi “histerinë antiruse”. Këto deklarata ai i bëri në Moskë, duke u bërë një prej zyrtarëve më të lartë evropianë që vizitoi Rusinë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, dhe në janar të këtij viti, Putin ia ndau Vulinit Urdhrin e Miqësisë për përpjekjet e tij për të krijuar lidhje mes BIA-s dhe Shërbimit rus për Inteligjencë të Jashtme (SVR).

Më 13 korrik, disa ditë pasi Vulini u vendos në listën e zezë të Uashingtonit, aktivistit Nikitin iu ndalua futja në Serbi, ku ai kishte jetuar që nga viti 2016. Atëbotë, Çedomir Stojkoviq, avokat që përfaqësonte Nikitinin, tha se vendimi u bë pas një kërkese që BIA i kishte kërkuar policisë serbe që të vendoste “masa mbrojtëse të dëbimit të një të huaji”. Nikitinit iu lejua të shkonte në Serbi më 14 korrik. Atij nuk iu dha asnjë shpjegim zyrtar për ndalesën, megjithatë ndalesa ndaj tij u përcoll me zemërim nga aktivistët dhe disa media.

Të jetosh me frikë

Më pas më 25 korrik, autoritetet serbe refuzuan që të zgjasnin qëndrimin e përkohshëm për aktivistin rus kundër luftës, Vladimir Volokhonsky, i cili kishte ndihmuar Nikitinin të themelonte RDO-në, shoqatë që tani thuhet se numëron mijëra anëtar. Atëbotë, Volokhonsky i tha REL-it se vendimi ishte “një formë e presionit politik”. Një këshilltar i opozitës në Shën Petersburg, Volokhnsky u largua nga Rusia në mars të vitit 2022 pasi ishte arrestuar dhe shtëpia e tij ishte kontrolluar për shkak se ai publikisht kishte kundërshtuar pushtimin e Ukrainës.

Në nëntor, aktivisti rus kundër luftës, Ilya Zernov, u largua nga Serbia pasi policia kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Beogradit tha se ia ndaloi hyrjen në Serbi. Zernov, 19 vjeç, kishte shkuar në kryeqytetin serb nga Gjermania më 4 nëntor për të marrë pjesë në gjykimin lidhur me sulmin ndaj një aktivisti nga tre burra serbë, gjatë vitit të kaluar.

Zernov tha se një zyrtar i kontrollit të pasaportave në Aeroportin Nikola Tesla e dërgoi atë në një zonë pritjeje, dhe aty më pas iu kumtua lajmi se nuk mund të hynte në shtetin e Serbisë. “Ata nuk dhanë ndonjë shpjegim. Vetëm më thanë: ‘Ti e di’”, tha Zernov për REL-in.

Në janar të vitit 2023, Zernov ishte sulmuar në Beograd kur po tentonte të pikturonte mbi një mural ku shkruhej “Vdekje Ukrainës”. Zernov tha se një person i tha të ndalonte dhe e goditi në vesh, duke i shkaktuar lëndime në daullen e veshit.

Nikolla Kovaçeviq, avokat për të drejtat e njeriut, tha se vendimet në Serbi ndaj aktivistëve rusë kundër luftës janë “sistematike”.

“Në shumicën e rasteve, këto janë vendime politike dhe jo vendime të bazuara në ndonjë shqetësim real të lidhur me sigurinë”, tha ai për REL-in.

Përderisa fati i Konopovas ka trembur shumë rusë në Serbi, të tjetër duket se nuk ua ndien fare.

Artisti komik, Gleb Pushev, që jeton në Beograd, është zotuar se veprime të tilla të autoriteteve në Serbi “nuk do të më heshtin”.

“Situata është e trishtueshme, e turpshme dhe e frikshme. Qeveria serbe po shkatërron jetën e rusëve që besojnë në Serbinë, që kanë investuar paratë e tyre në këtë shtet”, tha Pushev për REL-in. “Qeveria po tenton t’iu dërgojë një sinjal: Ne i dashurojmë paratë tuaja, por jo edhe politikat tuaja për luftën dhe paqen”.

Pushev ishte larguar nga vendlindja e tij, Shën Petersburgu, pasi kishte publikuar në rrjetet sociale një karikaturë të Putinit, ku lideri rus shfaqej i veshur me rroba të gjakosura dhe duke mbajtur në duar një thikë. Në fillim të marsit të vitit 2023, nga frika se do të arrestohej, Pushev udhëtoi për në Serbi, ku ai vazhdoi të vizatonte karikatura dhe imazhe të tjera kundër luftës dhe për jetën në mërgim.

Pushev tha se ai do të vazhdojë aktivitetet e tij kundër luftës. “Shpresoj që do të largohem nga Serbia kur të dua dhe jo kur Putini apo [Vuçiqi] të vendosin”.

Megjithatë, të tjerët kanë frikë.

Një aktiviste ruse që nuk deshi t’i publikohej emri, tha se nuk e di nëse leja e saj e qëndrimit do t’i revokohet. Ajo tha se kthimi në Rusi, ku ka gjasa të përballet me ndjekje ligjore, as që vjen në shprehje.

“Jam këtu që nga viti 2018. Kam një vend pune, e kam mësuar gjuhën serbe, kam miq dhe familjarë këtu. Nëse më revokohet leja e qëndrimit të përkohshëm, gjithçka do të marrë fund. Nuk kam mundësi të tjera, nuk kam oferta të tjera se ku të shkoj apo si ta menaxhoj një situatë të tillë”./REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika