Kritikave të opozitës për propozim-amandamentet Kushtetuese për Vettingun në sistemin e drejtësisë, u ka dhënë një kundërpërgjigje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në fjalën e saj në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka thënë se këto amandamente kushtetuese janë një nga reformat më të rëndësishme që ka për qëllim fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, kthimin e besimit të qytetarëve në këto institucione dhe pavarësinë e drejtësisë.
“Vettingu ka qenë një nga zotimet tona kryesore dhe për të ardhur deri këtu nuk ka qenë shumë e lehtë, sepse gjatë gjithë kësaj kohe, jemi ballafaquar me sfida nga më të ndryshmet, sfida këto që ndërlidhen me tendencën e vazhdueshme për të penguar një reformë të rëndësishme. Kemi qenë këmbëngulës në synimet tona për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës dhe për të përmbushur secilin zotim që kemi dhënë para qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.
“Në mars të vitit 2021, kam pranuar detyrën e ministres së Drejtësisë dhe menjëherë në prill të po atij viti kam themeluar grupin punues për hartimin e konceptdokumentit për vettingun në sistemin e drejtësisë… Është e vërtetë që edhe konceptdokumentin edhe amandamentet kushtetuese i kemi dërguar në Komisionin e Venecias, sepse qëllimi ka qenë që ta njoftojmë Komisionin e Venecias për problemet, me të cilat, ballafaqohet sistemi i drejtësisë, sfidat të cilat ne i kemi… Në qershor të vitit 2022, pas tetë muajve kemi pranuar opinionin e Komisionit të Venecias, me ç’rast rekomandoi që vettingu në sistemin e drejtësisë të nisë nga nivelet e larta të sistemit të drejtësisë..”, shtoi ministrja.
Haxhiu ka falënderuar kryetarin e Komisionit Ad-Hoc, Kujtim Shala, dhe të gjithë anëtarët e komisionit për bashkëpunimin, angazhimin dhe mbështetjen në procedimin e amandamenteve kushtetuese.
Sa i përket çështjes së integritetit, Haxhiu thotë se kriteri integritet i cenueshëm nuk ka kaluar për arsye se Gjykata e konsideron të paqartë dhe të paparashikueshëm.
“Në plan të parë konsideroj që është pozitive sepse po nënkupton që integriteti apo mungesa e tij mund të definohet me ligj”.
Ajo theksoi se Vettingu, amandamanetet Kushtetuese nuk janë e vetmja reformë për të cilën po punon Ministria e Drejtësisë.
“Reforma tjetër është ajo në Këshillin Prokurorial që është reformë po aq e rëndësishme… dhe po punojmë edhe në zbatimin e deklaratës së zotimeve, në qershor të këtij viti, Qeveria pret që t’i procedojë të gjitha ndryshimet që ndërlidhen me pjesën e dytë të reformës që ka të bëjë me fuqizimin e mekanizmave të brendshëm, integritetit, disiplinës. Reforma po bëhet në disa nivele, dhe konsideroj që në këtë drejtim jemi në rrugë të mbarë”, u shpreh ministrja e këtij dikasteri.
Sipas Haxhiut, Vettingu në sistemin e drejtësisë është çelësi që Kosova të jetë shtet i së drejtës.
“Vettingu është kushti që sistemi i drejtësisë apo në sistemin e drejtësisë të kemi prokurorë me integritet të lartë moral dhe profesional. Vettingu është rruga përmes së cilës mund të sigurohemi që gjykata dhe prokuroritë veprojnë vetëm në përputhje me mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor dhe pa u ndikuar nga kushdo qoftë. Vetingu është mundësia për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ju ftoj që të jemi të unifikuar për këtë reformë dhe të kontribuoni që këto amandamente kushtetuese të kalojnë”, shtoi ajo.