Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka demantuar kryeministrin Albin Kurti, i cili hodhi poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova e rrezikoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Sipas Hovenier, çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin Kosovë-ShBA, duke theksuar se deklarata e O’Brien është shumë e qartë.
Hovenier ka theksuar se do të shpresonte që Qeveria e Kosovës dhe Kurti ta zgjidhin çështjen së bashku.
“Ne kemi shpresuar se qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, ka shtuar Hovenier.
“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment, saqë qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”, ka shtuar ndër të tjera Hovenier.