Albin Kurti ka thënë që investimi në zanatmarrës është një vendim i duhur e njëherësh, edhe largpamës.
Gjatë takimit të dytë të Komisionit Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Kryeministri i Kosovës ka theksuar domosdoshmërinë e bashkërendimit ndërinstitucional dhe me donatorët.
“Duke qenë se inicimi i arsimit dual është prioritet për qeverinë tonë, duhet gjithsesi të përmirësojmë bashkërendimin në mënyrë që arsimi dual të ketë sukses. Duhet të arrijmë që t’i përgatisim nxënësit gjatë shkollimit dhe t’i vetëdijesojmë ndërmarrjet që investimi në zanatmarrës/nxënës është investim i duhur dhe largpamës”, ka thënë ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur mbi fokusimin e reformave të AAP-së: Qeverisja e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, që do të merret me përmirësimin e qeverisjes së AAP-së, ashtu që qeverisja të funksionojë në mënyrë efektive dhe efikase, njëherësh, Inicimi i zbatimit të arsimit dual, një premtim për të cilin është zotuar qeveria, me qëllim të inicimit dhe zbatimit të arsimit dual, duke qenë që pilotimi duhet të fillojë në vitin shkollor 2022/2023.
Anëtarët e të dy task forcave u propozuan gjatë këtij takimi.
Për task forcën e parë Qeverisje funksionale e sistemit të AAP-së, u propozuan dhe u miratuan 15 anëtarë.
Ndërkaq, për task forcën e dytë, “Inicimi dhe implementimi i arsimit dual”, u propozuan dhe u miratuan 22 anëtarë.
Zbatimi i sistemit dual, sipas fondacionit “BESA”, mund të fillojë nga muaji shtator.
Gjithashtu, shumica e kompanive në Kosovë pajtohen të investojnë në burime njerëzore, sepse është një strategji afatgjatë për secilën kompani dhe për ekonominë në Kosovë.
Profilet e para do të jenë në industrinë e drurit, atë të metaleve, floktari, turizëm, hotelieri e kuzhinieri.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka theksuar se një analizë e mirëfilltë për nevojat e industrisë që sistemi i AAP-së të mund t’i përshtatet nevojave të tregut, është më se e nevojshme.