Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka parë me shqetësim të madh deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili gjatë së enjtes tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.
Haradinaj ka kërkuar reagim edhe nga presidentja e vendit, për siç tha, të mos e “marrin në qafë Kosovën”.
Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raporetet me ShBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.
“Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi, pra s’guxojmë më tutje me hesht nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë, nuk është mirë. Pra, së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qafë Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rrit votën, sepse partitë shkojnë e vijnë, por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, ka thënë Haradinaj për EO.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka demantuar kryeministrin Albin Kurti, i cili hodhi poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova e rrezikoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Lexo dhe: Hovenier i ashpër me Qeverinë Kurti: Çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin me Kosovën
Sipas Hovenier, çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin Kosovë-ShBA, duke theksuar se deklarata e O’Brien është shumë e qartë.
Hovenier ka theksuar se do të shpresonte që Qeveria e Kosovës dhe Kurti ta zgjidhin çështjen së bashku.