Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte pritet të takohet me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.
Takimi bilateral do të zhvillohet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.
Siç është bërë e ditur në rendin e ditës, takimi pritet të fillojë në ora 16:30.
Borrell një ditë më vonë pritet ta takojë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.
“Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, ka deklaruar Borrell në Munih.
Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla kanë udhëtuar të enjten për në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Konferenca e Sigurisë së Munihut nisi këtë të premte, më 16 shkurt, në një kohë kritike përderisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump.
Në këtë konferencë marrin pjesë presidentë, kryeministra, eurodeputetë e deputetë nga shtete të ndryshme.
Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka theksuar rëndësinë e Konferencës së Mynihit si një nga ngjarjet më të mëdha lidhur me sigurinë globale, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe rrjetet e bashkëpunimit.
Ministria e Jashtme ka njoftuar se Gërvalla, përveç pjesëmarrjes në panelet e diskutimit të konferencës, do të zhvillojë takime bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës, eurodeputetë, deputetë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe mediave.