Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova, ka fituar edhe ndeshjen e tretë dhe ka siguruar kalimin në gjysmëfinale në Grand Slamin që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.
Gjakova i ka fituar dy ndeshje radhazi në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Në përballjen e parë, xhudistja pejane ka mposhtur me “ippon” gjeorgjianen Nino Loladze, ndërsa në luftën e dytë ka fituar me “pikë të artë” ndaj Acejla Toprak të Azerbajxhanit.
Pas këtyre dy fitoreve, ajo ka kaluar në çerekfinale të Grand Slamit, ku u ndesh me xhudisten serbe, Marica Perisic.
Edhe në këtë ndeshje xhudistja jonë ishte e pamposhtur, duke rrëzuar Perisicin me “waza-ari” dhe duke siguruar gjysmëfinalen.
“Nora Gjakova ka kaluar në gjysmëfinale në Grand Slam Baku, Azerbajxhan 2024. Në çerekfinale ajo mposhti me Wazari garuesën nga Serbia, Marica Perisic. Në gjysmëfinale takohet me garuesen nga Holanda, Julie Beurskens”, thuhet në njoftimin e FXHK-së.
Në gjysmëfinale, Nora do të ndeshet me garuesen nga Holanda, Julie Beurskens.
Kosova do të paraqitet me 4 xhudistë në Grand Slam Baku 2024, në një konkurrencë mjaft të fortë.
Grand Slam i Bakus do të ketë pjesëmarrës nga 5 kontinente, 62 shtete, 404 garues, nga të cilët 226 meshkuj dhe 178 femra.
Nga ekipi ynë do të ndeshen këta xhudistë:
- Nora Gjakova (-57 kg)
- Laura Fazliu (-63 kg)
- Dardan Cena (-73 kg)
- Loriana Kuka (-78 kg)