Kosova do të drejtojë dy komisione brenda Asamblesë Parlamentare të Evropës Juglindore në Athinë, Komisionin për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, e njëherësh edhe Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë.
Përmes një komunikate për media, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se vendimi është marrë përgjatë takimeve që delegacioni i këtij institucioni ka zhvilluar me anëtarët e Komisioneve Përgjithshme dhe Komisionit të Përhershëm Qendror të asamblesë.
“Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca dhe në përbërje të deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Mefail Bajqinovci, anëtarë, dhe deputetëve Jeta Statovci dhe Ardian Gola, zëvendës anëtarë, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), i cili po mbahet më 1-2 qershor 2022 në Parlamentin e Greqisë, në Athinë”, thuhet në njoftim.
Është bërë e ditur se delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës është përfaqësuar nga Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Komisionit të Përhershëm Qendror, Mefail Bajqinovci, anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, Jeta Statovci, zëvendës-anëtare e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ardian Gola, zëvendës-anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë në AP të SEECP-së.
Megjithëse Kosova është anëtare e SEECP-së me të drejta të plota që nga viti 2015, në njoftim thuhet se “intensifikimi i marrëdhënieve dhe shtimi i rolit të Kosovës ka filluar në vitin 2019 dhe tani ky intensifikim është në rritje të vazhdueshme”.
“Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Greqia si Kryesuese në detyrë, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku pritet miratimi i dokumentit kryesor, Deklaratës së përbashkët përfundimtare, nga Kryetarët e Kuvendeve të vendeve anëtare”.
Përmes këtij njoftimi, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme. Pritet që miratimi i dokumentit kryesor të bëhet nesër(e enjte).