Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Ky takim është bërë në kuadër të Konferencës së Sigurisë, e cila po mbahet në Munih të Gjermanisë. Në këtë takim është diskutuar për çështje me interes të përbashkët.
“Zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik dhe tregtar, mundësitë për investime në Kosovë, procesi i dialogut dhe rregullorja e Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, ishin temat kryesore”, ka njoftuar Kryeministria.
Kryeministri Kurti i ka dhënë theks të veçantë prioritizimit që i ka bërë Qeveria energjisë së ripërtëritshme dhe mundësitë që Kosova ofron për investime në këtë sektor.
Ai e ka njoftuar kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MW, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke.