Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, kanë zhvilluar sot takimin e parë bilateral në mes tyre.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohjen ndaj qëndrimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ai tha se Republika e Kosovës i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Evropës dhe se krahas kësaj organizate synon anëtarësimin edhe në NATO”, thuhet në njoftim.
Ndërsa kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë në mes të dy kryeministrave duke shprehur interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime.
“Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë. Interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit”, thuhet tutje në njoftim.