Shiritat e sigurisë tanimë janë larguar, por lagjia “Bislim Zekolli” në Prishtinë nuk kishte qenë e qetë tash e disa kohë.
Banorët e pjesës së njohur si “Xhambazët”, tanimë janë të familjarizuar me problemet e protagonistëve të të shtënave të mbrëmjes të së enjtes.
Ndonëse nuk kanë dashur të prononcohen para kamerave, ata kanë treguar se arsyeja e rrahjes së tyre kishte qenë një kërcënim që u ishte bërë të dyshuarve nga babai i njërit nga të plagosurit.
Lidhur me rastin, nga Policia e Kosovës është njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuar, ndërsa një tjetër ende është në kërkim.
“Lidhur me rastin e mbrëmshëm në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante, ku nga aty kanë filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Nga hetimet preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri janë lënduar dy persona, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërkaq është identifikuar një person i dyshuar (i mitur), i cili gjendet në arrati”, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Nga QKUK-ja, televizionit i kanë bërë të ditur se të plagosurit kanë qenë në gjendje stabile, për çka edhe janë liruar për trajtim në shtëpi.
“Janë lëshuar në shtëpi pas trajtimit të marrë në Qendrën Emergjente”, ka thënë Naser Syla, drejtor i Shërbimit Emergjent në QKUK.
Rasti nga prokuroria fillimisht është inicuar si “vrasje në tentativë”, ndërsa nuk është raportuar se ka pasur armë zjarri të konfiskuara nga policia.