Policia e Kosovës, të mërkurën ka njoftuar, se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në rrotullimin hyrje-dalje në autostradën Prizren-Veri ka ndaluar dy vetura të dyshuara ku gjatë kontrollimit të tyre janë gjetur një qese e plastikës dhe një valixhe me 36 paketime substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë gjithsej rreth 18 kilogramë(kg).
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë zhvillimit të operacionit në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një veturë e tipit Renault dhe një veturë e tipit Audi me targa vendore.
Në këto vetura janë gjetur telefona mobil si dhe prova të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar, ku gjatë kontrollimit të tyre nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, thuhet në komunikatën për media.
Me vendim mbi ndalimin e personave, dy të dyshuarve meshkuj(kosovarë) u është caktuar masa e ndalimit, ndërsa një person tjetër i dyshuar mashkull(kosovar) gjendet në arrati.
Sipas Policisë, të gjitha dëshmitë lidhur me rastin janë fotografuar dhe tërhequr nga Njësia e Krim Teknikës, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitë kompetente policore.