Ish-deputeti, Naser Rugova, i ka bërë thirrje të parit të LDK-së, Lumir Abdixhikut që “të zgjohet nga letargjia dhe vetëkënaqësia e tij”.
Ish-deputeti i LDK-së ka thënë se opozita duhet të jetë më aktive dhe këtu, sipas tij, duhet të printe LDK-ja.
“Nëse një kryetar i një partie opozitare bën apel eja të bëhemi bashkë tri partitë opozitare që janë në Parlament që ta mundim kryeministrin aktual, kjo për mua është shenjë dobësie. Mungesë e alternativës dhe mungesë e vizionit.
Edhe unë publikisht bëj apel kryetarit të LDK-së, kryetari të partisë sime, të mendoj seriozisht si një parti me ‘background’ edhe historik edhe politik, edhe ideologjik dhe me një traditë të jashtëzakonshme shtet-ndërtuese që të zgjohet nga ajo letargjia dhe vetëkënaqësia e tij se po i takoj disa struktura dhe po i mbledhin nja 200 veta dhe po i bëjnë do foto për Facebook… thjesht Kosova është në një situatë tepër senzitive, pak muaj më parë kemi pasur agresionin terroristo-diversant nga ana e Serbisë ndaj shtetit tonë. Unë besoj se LDK-ja do të duhet të ishte lokomotiva prietare e spektrit politiko-opozitar”, ka thënë Rugova në “Rreth e Rrotull” të Dukagjinit.