Xhevdet Qeriqi, invalidë i luftës, ka thënë se “kategoria e invalidëve të luftës është në gjendje të mjerueshme”, dhe Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap qoftë edhe të vogël lidhur me veteranët e luftës që kanë gjymtyrë të humbura, e të cilët kanë nevojë urgjente për veprim, qoftë me rregullimin e protezave apo edhe amortizimin e tyre.
Kështu është shprehur Qeriqi në emisionin “Five” në televizionin Dukagjini, duke shtuar se takimi i fundit me qeveritarë është bërë para dy jave me dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilëve iu ka bërë apel që të ngrisin si çështje në kuvend, por që, sipas tij, deri më tani nuk ka parë asnjë lëvizje.
“Ngjarjet e mëhershme, kritikat, mospajtimet dhe pakënaqësitë e tona rreth trajtimit të luftetarëve të UÇK-së, e sidomos kategoria e invalidëve të luftës është në gjendje të mjerueshme. Sidomos ata të cilët kanë gjymtyrë të humbura, nuk janë duke u trajtuar ashtu siç e meritojnë, kanë probleme me proteza dhe qeveria nuk ka marrë asnjë vendim të prerë për rregullimin e këtyre protezave. D.m.th iu mungojnë protezat, amortizimi i tyre, dhe shumë luftetarë që përballen me probleme shëndetësore dhe të tjera. Të gjitha këto pakënaqësi i kanë adresuar Qeverisë së Kosovës. Disa shkresa janë dërguar dhe janë njoftuar për secilin problem te Qeveria e Kosovës. Së fundmi, para dy jave kam takuar dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe pikërisht temë diskutimi ka qenë problemet e luftetarët e UÇK-së me të cilat po ballafaqohen. Iu kam njoftuar edhe atyre që të ngrisin zërin në Kuvend dhe ka mbetur për të kthyer përgjigje, por deri sot s’ka asnjë përgjigje”, ka thënë Qeriqi.
Qeriqi ka theksuar se takimi i fundit zyrtar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ka qenë para dy vitesh dhe se gjatë takimit “ka paraqitur shqetësimet dhe kërkesat e tyre” dhe kreu i qeverisë i ka premtuar për “angazhimin e tij në këtë drejtim”, por që tash e dy vite “fatkeqësisht” nuk ka as edhe një veprim të vogël për veteranët e luftës, që kanë humbur gjymtyrët e tyre.
“Apeli apo kërkesa kryesore e tyre është me u marrë me invalidë të luftës, me rehabilitimin e tyre në banja sepse ka shumë invalidë që në bazë të rekomandimeve të mjekëve kanë nevojë për banja dhe shërim për proteza”, ka shtuar Qeriqi.